VILSON HOTI

IMANENCA E PASUBJEKTSHME
(Dialogu si rit i shkrirjes së subjektit në “Imanenca srca srca” e Idlir Azizaj
)

Imanenca srca srca”* i Azizajt është një sekuencë dramatike, që nën formën e dialogut të kondensuar me batuta gjuhësore, përkthen në poezi idenë deleuziane të imanencës si “fushë e pasubjektshme”, ku nuk ekziston më një “jashtë” të mendimit ose të qenies. Ky është një lloj konfiguracioni dramaturgjik se si dallimi bëhet forca e vetëbrendshme e realitetit dhe jo raport midis esencash të ndara…


– Imanenca** si brendësi absolute:
Vendi i aksionit: hapësira mes dy zemrave / Koha: momenti sa hap sytë.”

Në filozofinë e Deleuze, imanenca nuk është cilësia e diçkaje që i përket një qenieje, por është plani i vetë ekzistencës, “plani i imanencës”, mbi të cilin çdo subjekt, objekt, ndjenjë apo perceptim shfaqen si modalitete momentane të së njëjtës rrjedhë. Në këtë tekst, ky plan përkthehet poetikisht në hapësirën “mes dy zemrave”: një “vend aksioni” që nuk është as njëri, as tjetri, por “dy-shi imanent”. Ky moment është pa kohë dhe pa vend në kuptimin tradicional; ai është vetë kalimi (ose “kaloja”) i perceptimit, momenti kur projekti subjekt–objekt shkërmoqet. Dy “zemrat” nuk janë më bartëse emocionale të vetëdijshme, por dy përrenj energjish që rrjedhin njëra brenda tjetrës, pa hierarki, pa distancë… Dialogu midis Derëziut dhe Derëbardhit, që duket herë-lojë, herë grindje, herë gjest dashurie, por i ngjan strukturës deleuziane të tekstit, që funksionon si proces i “deterritorializimit” — shpërbërja e kufijve mes trupit, zërit dhe mendimit. Shembujt të tillë janë:

“Ti je në mua. Vetë the qëparë, hyre nga e çara.”

“Jo, kjo është veç brendia jote! Pse, për kaq luftova vallë?”

Këtu brendia dhe jashtësia shkëmbehen si funksione të rrjedhës, jo si kundërvënie ontologjike. Dy folësit janë si dy “rryma imanente” që riartikulojnë njëri-tjetrin. Ndaj, çdo fjali në këtë dialog është një pikë tranzicioni, jo një pohim stabil. Fjala e njërit (tjetrit) e lind tjetrin (njërin) — një akt deleuzian i krijimit përmes “ndërlidhjes” dhe “diferencës”, jo përmes njohjes apo reflektimit.

– Dallimi si ontologji, jo përjashtim

Në një moment kyç, tekstualisht dhe filozofikisht, personazhet reflektojnë mbi vetë nocionin e dallimit:

“Po aty duhet të ishte demek dhe ajo, diferenca, dallimi dhe ndryshimi…”
“Po ti kujtove se boll qe je aty dhe… Ah, ç’më çave kokën tashti!”

Këtu “dallimi” është koncepti deleuzian par excellence, jo ndarje, por krijim. Për Deleuze, gjithçka që ekziston është dallim që prodhon dallim, një proces i brendshëm i vetë imanencës. Në tekst, lufta e tyre “për dallimin” është në fakt lufte për ekzistencë, për të mos u ngjitur në një homogjenitet total që do të vriste çdo krijim: “Po kështu s’ka dallim! Për ça lufuam ne?”
Nëse lufta për dallim dështoka, mbetet vetëm “imanenca e pastër”, që këtu fillon të marrë trajtat e një errësire, një “terr brenda teje, sa i hedh këmbët kuturu”. Kjo errësirë është brendia absolute e Deleuze-it – jo negativitet, por intensitet i pafund ku çdo dallim potencialisht mund të ndodhë…

– Liria si efekt i imanencës, jo si atribut i subjektit

Një nga fijet qendrore të dialogut është ajo e “lirisë”:

“E çfarë lirie është kjo?”
“Kjo është liria, zemër!”
“Jo, kjo është veç brendia jote! Pse, për kaq luftova vallë?”

Për Deleuze-in, liria nuk është zotërimi i vetvetes, por aftësia për t’u bërë — për të “hyrë nga e çara”. Pikërisht ashtu si personazhi që depërton “nga veshi”, “nga buzët”, “nga zemra”, liria këtu ngjason me procesin e shndërrimit, të “nënshkrirjes së formës”. Në këtë sens, të hysh brenda tjetrit (pa jashtë) është të jesh në imanencë, jo të zotërosh. Liria është përmbyllja e çdo raporti transcendent me “jashtë”, dhe kthimi në rrymën ku “para” dhe “mbrapa”, “shkak” dhe “shka”, janë vetëm valë të së njëjtës fushë… ngjashëm si ai i grimcave në fizikë.

– Dallimi i pamoskuptimit dhe mosdallimi i kuptimit

Në një vijë ironike që përbën thelbin më gjuhësor të tekstit, Derëbardhi thotë: “Marrëveshje është kjo punë, mes moskuptimit e keqkuptimit.” Ky është një moment Deleuzian, ku kuptimi nuk është kurrë i dhënë, por prodhim që del nga moskuptimi vetë. Kuptimi, te Deleuze, shfaqet si një lëvizje sipërfaqësore e lojës së shenjave, jo si përmbajtje transcendente. Pra, ajo që për personazhet duket si rrëmujë logjike (“shka / shkak”, “ja / shka”) është në fakt vetë poetika e imanencës, ku gjuha ngjizet – bëhet, jo si sistem…
Titulli “Imanenca srca srca” vetvetiu na vendos në një univers ku dëshira, dallimi, dhe bashkëshkrirja trupore janë forma të të njëjtit akt poetik. Në këtë “hapësirë mes dy zemrave”, çdo kufi është i tejkaluar — jo për t’u shkrirë në identitet, por për t’u bërë proces i gjallë i krijimit të dallimit.

Në frymën më të pastër deleuziane, I. Azizaj përtej të filozofuarit si komentator, synon që përmes gjuhës të shpikë një fushë, mundësisht, të re për ndjesinë. Imanenca, këtu, është rrjedha e jetës vetë, në të cilën çdo zemër është një “mbetje aktive e dallimit”, një nyje e vogël ku e brendshmja dhe e jashtmja ndodhin pa pushim…

Shënim i autorit:
*Nënvizojmë këtu ironinë e Azizaj, sepse enkas aludon mbi këngën sllave, “Ima nesto od srca do srca”, e njohur sidomos nga publiku i viteve 1980të. Dhe lojën e fjalëve, nga “ima nesto” në “imanencë”, duke ndryshuar totalisht të shenjuarin.

**Imanenca, koncept filozofik, qê nënukupton atë “çka mbetet brenda”, “rri në brendësi të një qenieje apo një mendimi”. Koncept i kundërt me Transhendecën”, më religjioz ky. Filozofi i mirënjohur Gilles Deleuze iu kthye këtij koncepti, duke theksuar se heqja dorë nga subjekti dhe finaliteti, justifikon vendosjen “në të njëjtin plan immanence” të çdo koncepti apo vlere, duke I lidhur ato “horizontalisht” në një rrjet mendimesh, e jo më të themeluara vertikalisht.

14.4.2026