Idlir Azizaj

IMANENCA SRCA SRCA
(Për Safet Muratin)

Vetat:
Derëziu
Derëbardhi

Vendi i aksionit: hapësira mes dy zemrave
Koha e aksionit: momenti sa hap sytë


Foli një çikë atij se më ra goja, e s’më dëgjon fare!
Aha, prandaj pashë një gojë unë te oborri, jotja paska qenë ajo?
Nuk kam ça t’i bëj, ma plasi buzën.
Dhe e dëgjova unë një kërcitje, po s’e mendova se ishe ti.
Ma nxiu jetën!
Hem, po e zeza teorikisht s’është as ngjyrë!
Jo, po me teorira se si e kish fituar lirinë.
Varet ça ka thënë.
Ehu, më çau veshët.
Epo andej, nga ajo e çarë hyra unë. As më shkonte mendja se do futesha drejt e brenda teje!
E këmbëngulte shumë, m’i ngriti nervat.
Duhet t’i ketë krahët me muskuj, aq të rënda sa i ke. Hajt, se lojë është kjo.
Nuk po e duroja dot, ma hoqi zarin!
E s’kemi si luajmë tavëll tashi, pa zare. E çfarë lirie është kjo?
S’e kuptoj atë lloj njeriu. Pash Zotin…
E pe zotin dhe s’e kuptove fare, eh?
Për nder ma hoqi mendjen.
Po pra, e shoh këtë aneksin bosh ktu te koka jote mbrapa.
Se s’di dhe ku e ka hallin!
Makinën ja pashë para shtëpisë, për të tjerat s’e di …
Ma nxiu vërtetë.
Vërtet, aq terr ktu brenda teje, sa i hedh këmbët kuturu.
Sido të jetë, mos i hidh jashtë se s’i gjen më.
Kë?
Ato mbët, kë?
Mbët?
Po, mbët, mbët, me kë para!
Je në vete ?
Ti je në mua. Vetë the qëparë, hyre nga e çara. Një lloj lirie është edhe kjo.
Varet.
Pavarësisht se varet…
Po s’mund të varet po qe e pavarur…
Uf. Më gjeti belaja më ktë mua!
Cila Bela?
Bela-ja! Ja! Ja!
Ku, ja?
Pas Belës, ku tjetër!
Po pse pas?
Ua! Po siç është ja te shkja !
S’ka gjë ja aty. Është shka!
Or ti, më bombardove fare!
Dhe kush flet! Ti që depërtove brenda meje!
Dëgjova që të plasi shpirti, erdha të shihja se ça bëhej.
Thashë ma plasi buzën, jo shpirtin, Nuk e sheh dot dallimin ti?
Nuk e dalloj dot nga ktu brenda teje.
Aha, s’të vjen mirë! E ndjej që u skuqe, paçka se rri kokrra e mollës brenda meje.
E kuqe molle, zemër. Kjo e bën diferencën.
Midis kujt?
Midis zemrave, dajë!
Po kur janë të bardha, si kto tonat?
Oh me ty duhet t’i thuash derrit dajë!
Ik se ma këpute telin e zemrës tash!
Si të iki kur jam brenda teje?
Kjo është liria, zemër!
Jo, kjo është veç brendia jote! Pse, për kaq luftova vallë?
Sa i pavarur je, aq luftë ke bërë. S’u bëre njëherë njeri, vlla!
As ktu brenda teje, vlla, që është si me qenë diqysh te unë vetë!
Ca më pak aty, mesa duket …
Po aty duhet të ishte demek dhe ajo, diferenca , dallimi dhe ndryshimi…
Po ti kujtove se boll qe je aty dhe …
Ah, ç’më çave kokën tashti!
Aha, prandaj po ndjej një rrymë ajri unë, një si tunel të vogël?
Varet nga ça ndjen pa e parë…
Ku?
Si ku?
Ku varet?
Jo, jo, nga sa i pavarur je.
Varet nga pavarësia?
Thjesht pa është para, varësia mbrapa.
S`ka si t’jetë ndryshe.
Pah, ça lirie është kjo?
Ajo aty!
Po ktu s’ka , veç brendia jote është.
Ose, ose dhe Edhe jashtësia jote. Ja ndryshimi.
Cili ndryshim!
P.sh. midis shkak edhe shka!
He, të kuptoj po s’të marr vesh.
Marrëveshje është kjo punë, mes moskuptimit e keqkuptimit.
Moskeqkuptim?
Ehh…
Pamoskuptim?
Ehu, ti s’je në vete!
As ti jashtë vetes!
Po ja de dallimi!
Dale!
Si, si?
Dale ta shoh! Se s’sheh dot kollaj brenda teje!
Oho, dale, dale!
Dale dale, ça dale?
Po kështu s’ka dallim! Për ça lufuam ne?
Shko mor, shka!
Shka jo, ishalla, shkak!
Shkau shkaku …
Edhe dallimi?
Da-llimi!
Po, bash ai!
Është si duket aty ku s’është ai?
Kush? Cili?
Ai, de, «dallimi », d, a, ll, i, m, i.
Aha! Ato, atëherë, jo ai, as ajo!
Ah, ç’ma theve zemrën!
Gënjen. Nuk po shoh kund këtij brenda as z, as e, as m, as ë, as r!
S’ka mundësi!
Ka, po. Kjo është liria.
Jo, s’është, veç ti je brenda meje.
Na lër të ëndërrojmë, or ti!
Ok, po jo brenda meje.
Ashtu të duket ty nga jashtë.
Po dallimi atëherë? Për ça dreqin luftuam?
Atëherë pa dallim pra luftuam!?
Domethënë vetëm luftuam?
Vetëm?
Boll se më iku truri tani!
Fluturoi thuaj.
Bash si flutur…
Dhe s’munde t’i marrësh më erë…
Më ranë këmbët duke e kërkuar.
Aha, te ato do jem penguar unë pra …

Fund

11.4.2026
© Idlir Azizaj

>>Kritikë për këtë minidramë
Vilson Hoti: IMANENCA E PASUBJEKTSHME