*Idlir Azizaj Nivik është një nga autorët e rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe. Autori njihet për romanet dhe novelat me temë nga Shqipëria e sotme. Veçojmë romanin e rëndësishëm “Terxhuman”, si dhe vëllimin me novela “Shekspirotët”. Ky vëllim fitoi dhe çmimin Kombëtar “Pena e artë” nga Ministria e Kulturës, në 2015. Idlir Azizaj Nivik është dy herë fitues i këtij çmimi, sepse ka marrë dhe çmimin e madh të përkthimit letrar për sjelljen në shqip të “Uliksit” të Joyce në 2003. Libri i tij me poezi “Syri në mur/Verbstones” është nga të rrallët e botuar në edicion dy-gjuhësh në SHBA, nga CC Marimbo Press, përkthyer e me Hyrje nga poeti laureat Jack Hirschman. Dramat e I.A.Nivik, si “Medea, art i ekzilit”, “Unë pa mua”, janë inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Autori ka studjuar letërsi anglo-amerikane në Concordia College, SHBA dhe jeton aktualisht në Francë.

1. Si ka lindur marrëdhënia juaj me shkrimin ?
-Këtë e kam vështirë ta mbaj mend saktë, pas gjithë këtyre viteve. Ndoshta puna e herëshme në gazetari, detyrimi për të kryer një shkrim brenda afatit të caktuar nga redaksia, ka ndikuar në ushtrimin e disiplinimin e të shkruarit.

2. Mendoni se ka një raport të thellë mes shkrimit dhe leximit ?
-Natyrisht. Askush nuk shkruan dot pa asimiluar fillimisht lëndë letrare pararendëse. Dhe sa më e lashtë të jetë kjo në raport me moshën aktuale të autorit e të epokës, aq më mirë.

3. Ju jetoni në Francë, çfarë ndryshon atje në raport me Shqipërinë përsa i përket
atmosferës kulturore ?
-Përsa në Francë prania e peizazhit kulturor shqiptar është gati e papërfillëshme, po aq
e ndjej unë detyrimin të qep opinionin tim për këtë raport me një fill të vetëm.

4. Cila është disiplina më e afërt me letërsinë?
-Ndoshta filmi, kinemaja.

5. Sa ka ndikuar politika në shkrimet tuaja, pasi dihet që jeni një autor mjaft jo korrekt
politikisht?
-Politika, s’e besoj se më ka ndikuar. Vetëm sa më ka çuar në reagime ; si dhe ma ka lënë në dorë, pa dashje, natyrisht, t’i përdor teatralisht, disa personazhe të saj.

6. Vepra juaj konsiderohet shpesh si « postmoderne » dhe « e vështirë », sa ju ndikon kjo
ju dhe a mendoni se këto cilësime vlejnë teknikisht?
-Cilësimet mund të vlejnë teknikisht, por jo dhe aq shpirtërisht. Ka rrëfime, tema e të cilave nuk mund të stiset me anë të prozës « klasike ». Në këtë periudhë të fundit, jam prirur të shkruaj në formë më drejtëvizore, por pa ju nënshtruar përkufizimeve të një teksti më fillim të qartë, me një mes të dukshëm e një fund preçiz. Mendoj se, lexuesi ynë lyp shpesh tekste « të shtruara », lineare e pozitive. Mbase për shkak të dhunës që shoqëria i bën vetes te ne, e ndihmuar nga politika aktuale. Unë mendoj se kjo kërkesë është veç uri për më tepër iluzion. Nëse mund ta përmbledh shpejt jetën e krijimit artistik, do shënoja : infinit-informacion-joformë-formë. Shkrimi « i vështirë » synon t’ja bëjë vetësigurinë të zorshme gjuhës, e jo të jetë enkas i vështirë për lexuesin. Natyrisht, lexuesi mediokër në botë nuk do vdesë kurrë, sa « nuk vdes as shampanja », si e thotë Migjeni.

7. Me çfarë do ishit marrë po të mos ishit shkrimtar?
-Me politikë, natyrisht.

8. Ju njiheni dhe si përkthyes, sa mendoni se rinia e sodit konsumojnë përkthime të mira ?
-Kështu nga larg, nuk është e udhës të jap opinone sipërfaqësore. Kam gjithsesi përshtypjen, se, lexuesi rinor shqiptar, po përjeton çuditshëm dukurinë e të bërit lehtas global, imperial, duke harruar gjuhën e vet. Më duket se e ardhmja e gjuhës së lëvruar shqipe, pra në art e letërsi, po vihet çdo ditë e më shumë në dyshim. Gjuha shqipe po përçohet tani nga subjekte vërtet të shkathtë, sa edhe servilë. Është kjo një formë evazioni kombëtar. Çka ka bërë që shumë përkthime të vijnë nga persona, që janë si të fejuar me gjuhët e huaja, por janë në situatë divorci me gjuhën amëtare.

9. Çfarë rëndësie ka teatri në veprën tuaj ?
-Ka shumë rëndësi. Situata prej skene teatri : pse duket shkruar një ngjarje që zhvillohet fiks të këtë vend ? e se pse personazhi duhet të jetë fiks këtu ? ka rëndësi për pikënisjen e një teksti. Romani im, « Armiku i popullit pa emër », më duket shembull tipik. Pa këtë preçizion, ecuria është e voktë, e kotë.

10. Mendoni se për shkrimtarët është më i rëndësishëm talenti apo puna, në mos të dyja ?
-Shumë janë të mendimit se të dyja bashkë. Si përherë, duhet bërë dhe kujdes : talenti shumë i madh e puna titanike, mund të çojnë në katastrofa personale, si rasti i Nietzsche-s e i Joyce-it. Një kryevepër e dalë prej një talenti ekstrem e tërësisht përtac do të ishte ideale. Por idealet e tregut kanë kohë që s’e mundësojnë diçka të tillë.

Intervistoi për TemA: Adri Kalaja
/// gazetatema.net