Remo Dëvos
MIRË DHE GABIM


Një zot e di kush ka të drejtë e kush gabim!
Mm!
Vëshirë ta gjykosh.
Eh!
Unë për vete mendoja dikur se gjithë bota kish të drejtë. Deri ditën kur perceptova se sa gabim e kanë shumë nga njerëzit që unë pandehja se kishin të drejtë.
Ëëë!
Pra unë e kisha mirë. E si rrjedhim e kisha patur dikur gabim!
Ëh?
Gabim në kuptimin që ju kisha dhënë të drejtë njerëzve që gabimisht besonin se kishin të drejtë.
Ah!
Që domethënë: unë, që s’e kisha gabim, s’kisha arsye pse t’i quaja në gabim njerëzit që pretendonin se kishin të drejtë, ndërkohë që aspak të drejtë s’kishin.
Ee!
Drejt e kam, apo jo?
Dhe diçka tjetër: ndodh që t’u jap të drejtë edhe njerëzve që kanë të drejtë. Po edhe ky gabim është. Njëlloj sikur t’ju jepja idenë se e kanë atyre që s’kanë fare të drejtë. Kjo s’ka kuptim!
Ntc!
Si përfundim: më duket se bëjmë gabim sa herë rrekemi të kemi të drejtë para njerëzve të cilët kanë çdo arsye të mundshme të besojnë që s’e kanë gabim.

Përshtati: Idlir Azizaj