Nga buron kjo bindje se periudha e fëmijërisë na qenka kaq e ëmbël, kaq rrezatuese? Një çilimi ka vuajtje si të gjithë, dhe është, me pak fjalë, krejt i çarmatosur kundrejt dhimbjes, sëmundjes! Fëmijëria dhe pleqëria e thellë duhet të quhen dy sprovat e mëdha të njeriut. Por nga ndjenja e pafuqisë së vetes, fëmija nxjerr përunjësisht parimin e haresë së vet. Ai e lë veten në dorë të së ëmës, kupton ti? E tashme, e shkuar, e ardhme, gjithë jeta e tij, jeta e tërë mbahet nga një vështrim, dhe ky vështrim është një buzëqeshje. E pra, djalosh, nëse do të na linin të bënim ç’të donim, Kisha do t’u kishte dhënë njerëzve këtë lloj sigurie të epërme. Mos harro se secili do të kishte pjesën e vet të telasheve. Uria, etja, varfëria, zilia, asnjëherë nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë djallin zap, merre me mend! Por njeriu do ta dinte veten bir të Zotit, ja mrekullia! Do të kishte jetuar, do të kishte vdekur me këtë ide në rradake – dhe jo me ndonjë ide të mësuar veç në libra, – jo. Sepse kjo do të frymëzonte, falë nesh, doket, zakonet, zbavitjet, ëndjet e gjer te nevojat më të përunjura. Diçka e tillë nuk do ta pengonte punëtorin të mihte tokën, dijetarin të gërmonte në tabelën e algoritmeve, madje as inxhinierin të sajonte lodra për të mëdhenjtë. Mirëpo, do të kishim shfuqizuar, do të kishim çrrënjosur nga zemra e Adamit ndjenjën e vetmisë. Me morinë e tyre të zotave, paganët nuk ishin edhe aq idiotë: kishin arritur, të paktën, t’i jepnin njerëzisë së shkretë iluzionin e një mirëkuptimi trashanik me të padukshmen. Por rrengu tani nuk pi ujë. Jashtë Kishës, një popull ka për të qenë gjithmonë popull kopilësh, popull fëmijësh të gjetur. Qartazi, mbeten ende me shpresë se do të njihen nga Satanai. I gënjen mendja! Eh, sa shumë kanë për ta pritur Babagjyshin e tyre të zi! Mund të fusin edhe këpucët në oxhak! Djalli tashmë është lodhur duke i mbushur me një vandak lodrash mekanike që sot shpiken e nesër dalin nga moda, tani nuk u vë tjetër përveçse ndonjë paketë të vockël me kokainë, heroinë, morfinë, një ndyrësi pudre që nuk i kushton shtrenjtë. Varfanjakët! Do të kishin përdorur gjer dhe mëkatin. Jo kushdo mund të argëtohet. Edhe kukulla më e lirë prej katër sush mund ta bëjë të lumtur një çilimi për shumë kohë., kurse një baballëk plak gogësin përpara një lodre pesëqindfrangëshe. Pse? Sepse e ka humbur shpirtin e fëmijërisë. Epo, Kishës i është ngarkuar nga Zoti e mirë ta ruajë në botë këtë shpirt këtë shpirt të fëmijërisë, këtë pafajësi, këtë freski. Paganizmi nuk ishte armik i natyrës, por vetëm krishterimi e rrit natyrën, e përlëvdon, e vendos në përmasat e njeriut, të ëndrrave të njeriut. Do të doja të përballesha me ndonjërin prej këtyre diturakëve që më trajtojnë si obskurantist, do t’i thosha: “Nuk e kam unë fajin që vishem me kostum varrmihësi. Fundja, Papa vishet me të bardha, dhe kardinalët me të kuqe. Do të kisha të drejtë të gjezdisja i veshur si Mbretëresha e Sabasë, sepse unë sjell harenë. Do t’jua jepja falas, po të ma kërkonit. Kisha e ka harenë në dorë, të gjithë atë hare që i është taksur kësaj bote të trishtuar. Gjithë ç’keni bërë kundër saj, e keni bërë kundër haresë. Mos vallë ju pengoj unë që të llogarisni saktësinë e ekuinokseve apo të shpërbëni atomin? Por ç’dobi do kishit nga fabrikimi i jetës, përderisa e keni humbur kuptimin e jetës? Nuk ju mbetet tjetër veçse të pëlcisni trutë përpara tubacioneve tuaj. Fabrikojeni jetën sa të doni! Imazhi i vdekjes që përcillni, ua helmatis pak nga pak mendimin mjeranëve, ua errëson, ua zbërdhul dalëngadalë edhe haretë e fundit. Kjo do të vazhdojë për sa kohë industria juaj dhe kapitalet tuaja t’ju lejojnë ta bëni botën panair, gjithë mekanizma që rrotullohen me shpejtësi marramendëse mes rrapëllimës së bakrit dhe shpërthimit të fishekzjarrëve. Por prisni, prisni, pesëmbëdhjetë minutat e para të heshtjes. Atëherë, kanë për ta dëgjuar fjalën – jo atë që mohuan, që thoshte qetësisht: Jam Rruga, E Vërteta, Jeta – por atë që ngjitet nga humnera: jam porta e mbyllur përgjithmonë, qorrsokaku, gënjeshtra dhe humbja».