nga ADRI KALAJA
Te shtëpia botuese Zenit e kam pasur për herë të parë kontaktin me letërsinë e Idlir Azizaj Nivik, aty afër te pallatet Agimi. Nga aty mësova edhe për stilin e tij të padyshimtë të të shkruarit. Një stil që për çudi nuk i ngjan asnjërit prej autorëve të tij të preferuar, asnjërit prej autorëve të tij të dashur që ka përkthyer pavarësisht se nuk mund të vihet në dyshim që ka marrë shumë dhe ju ka secilit borxh. Me thënë të drejtën librit i tij i parë dhe akoma i paribotuar në shqip është një vëllim dygjuhësh titulluar “Syri në mur / Verbstones”.
Poezia, në dukje e thjeshtë dhe minimaliste kam përshtypjen vetë se i drejtohet një lexuesi të caktuar, një lexuesi që është tashmë lexues… Kjo lloj poezie, frymëzuar nga Allen Ginsberg-u dhe antikultura e atyre viteve, sigurisht në Shqipërinë e viteve 90-të nuk gjeti vendin e vet, por as në Shqipërinë e kësaj kohe nuk po gjen vendin e vet. Paçka se ky vëllim i botuar dhe në version dy-gjuhësh, në SHBA, nga CC Marimbo Press, me parathënie të poetit të shquar Jack Hirschman.
Në librat e autorit Idlir Nivik shohim çudinë e madhe që Shqipëria ekziston. Ndoshta. Shohim, në të vërtetë një habi të madhe me Shqipërinë. Por një habi që buron nga kureshtja, jo nga dhimbja. Shohim një Grotesk ekstrem, aq sa dhe vetë libri i tij më i arrirë (vëllim me tregime e novela “Shekspirotët”) është grotesku i injorancës që vjen nga mosleximi. Ky libër sikur e bën me turp lexuesin që kalon rrugës dhe e sheh, me kopertinën kuq në vishnje, nëpër pllakat e bukinistëve.
Pse? Sepse vërtet është një libër që studion liminalitetin e qenies njerëzore. Pra është shkrimtari që poetizon çudinë që i vjen pushtetit nga kastat e ulëta njerëzore. Nga të varfrit, si unë, të marrët, si unë, nga gratë, jo si unë, nga gjëtë e të tjerë. Pse çuditet atëherë pushteti nga katastrofa si protesta tre-vjeçare për teatrin? Pushteti çuditet vetëm nga ajo që nuk është pushtet. Nëse flasim me terma të Michel Foucault-së. Për pushtetin e ndënjur, shkrimtarët e ndënjur kanë më shumë garanci se sigurimi dikur për regjimin e E. Hoxhës. Por kjo është tjetër histori dhe ai ishte tjetër njeri.
Tek romani “Terxhumani”, ai na mëson, le të themi na përkthen “papërkthyeshmërinë” e ndjesisë që ka Njëri (le të huazojmë një term nga Bashkim Shehu dhe Pierre Clastres)kur e merr vala e turmës së tifozëve. Këta tifozë që nuk të fusin duart në xhepa, as të fusin duart si nëpër koncertet e shpat dedës. Por kjo botë është bërë për autorë të mëdhenj.
Te romani “Don Kanuni”, I. Nivik jep një mesazh social, gjë aq atipike për të; edhe te romani “Mandakall” po ashtu. Në fakt nuk mund të bësh satirë pa dhënë një mesazh social. Vitet e fundit në këtë hapësirën tonë në facebook është bërë e modës që të ulen dhe përçmohen ato që tallen me fenomene të caktuar. Këto atentate të vogla kundër të qeshurës dhe në të njëjtën kohë tentativa për edukim religjioz të popullatës tonë, vetëm sa e bëjnë më qesharak pushtetin për ato që e ndajnë kohën e tyre mes Europës dhe Shqipërisë siç është dhe rasti i kryeministrit tonë që i ngjan asaj gazetares së lodhur të kulturës që në njëfarë mënyre ka preferuar, duke qenë mbret, t’i lërë pushtetin lolos…
E ndesha në Lezhën dhe në Vlorë veprën e Idlir Nivik, ku jo vetëm profesorët, por tashmë dhe poetët kërkojnë një bombë (si e kërkon personazhi i tij te novela “Ti doje të shkruaje një fugë”). E ndesha në Durrës dhe në Laç, ku Judith Butler-i kishte zbarkuar në komisariatin e policisë kinematografike (kjo filozofe është dhe personazh në romanin e tij “Don Kanun”).
E ndesha dhe në Shkodër e në Prishtinë …
© Adri Kalaja
14.10.2023

