TEMAT POSTKOLONIALE TEK “TERXHUMANI”

nga Adem Ferizaj

Duke përdorur të menduarit postkolonial i cili nuk ka ekzistuar më herët në letërsinë shqiptare, Idlir Azizaj Nivik me romanin e tij të vitit 2010 “Terxhuman” ka krijuar një zhanër të ri letrar.

Kriza piramidale në Shqipëri dhe lufta çlirimtare e Kosovës janë të vetmet raste në vitet e 90-ta që kanë arritur të shfaqen njëkohësisht në ballinën e New York Times-it, të Le Monde-it dhe të Frankfurter Allgemeine Zeitung-it. Kjo nuk është për t’u habitur sepse interesi i gazetarëve perëndimor për hapësirat shqiptare varet prej trazirave politike në këtë rajon, të cilat mund ta shkatërrojnë ‘stabilitetin gjeopolitik’ europian. Kur nxitohen redaksitë perëndimore të shkruajnë për këtë rajon, vendasi i cili organizon takime, jep informata mbi çështjen e hulumtuar dhe përkthen intervista bëhet i domosdoshëm për gazetarinë perëndimore. Profesioni i këtij vendasi emërtohet shpeshherë “fikser”, më rrallë përdoret fjala “terxhuman”. Ky term është njëkohësisht titulli i romanit të vitit 2010 të Idlir Azizit i cili e merr këtë profesion si pikënisje për të trajtuar arrogancën perëndimore ndaj shqiptarëve dhe për të ofruar një analizë të pashembullt të shoqërisë shqiptare: Origjinaliteti i analizës buron në zhveshjen e ligjërimeve më të përhapura në hapësirat shqiptare të cilat bazohen në koncepte eurocentrike, domethënë në arrogancën perëndimore ndaj shqiptarëve. Në këtë mënyrë libri ia jep realitetit shqiptar një lexim alternativ dhe postkolonial, e që në këtë formë nuk ka ekzistuar më parë në letërsinë shqiptare bashkëkohore. Prandaj mund të arsyetohet që “Terxhumani” i Azizit e ka hapur një zhanër të ri në letërsinë shqiptare.

“përderisa shqipëria ka pozitën edhe në lindje, edhe në perëndim […]”

Në këtë roman vendasi paguhet për të kryer punë për një gazetar anglez të futbollit të Financial Times të Londrës. Në fjalitë e para të librit terxhumani e bën të qartë që ai “me këtë rast do [bën] një dorë të mirë parash, domethënë në krahasim me sa fitohet normalisht në shqipëri.” Kjo nënkupton që mjerimi ekonomik i vendit e detyron jo-perëndimorin të pranojë një rrogë qesharake për nivelin perëndimor, por ‘të mirë’ për vende jo-perëndimore. Përveç kësaj, gazetari e shfrytëzon jo-perëndimorin duke ia vjedhur pronën intelektuale që ai e kontribuon gjatë hulumtimit në terren, gjë e çuditshme duke e patur parasysh që gazetari varet krejtësisht nga terxhumani në këtë hap vendimtar të punës botuese. Këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi historike sepse terxhumani, prej fillimit të kolonializmit europian, ishte një figurë e përçmuar prej udhëtarit perëndimor. Sipas hulumtuesit Sarga Moussa (https://www.persee.fr/doc/roman_0048-8593_1996_num_26_92_4275), i cituar në këtë libër, ekziston bile një lidhje elementare ndërmjet punës së terxhumanit dhe “shpërhapje[s] së mendimit kolonialist euro-perëndimor” i cili i dominon edhe ligjërimet politike dhe kulturore shqiptare. Lexuesi i “Terxhumanit” gjithashtu mëson për shembull që Gjergj Qiriazi, sidomos i angazhuar prej perandorisë austro-hungareze, ishte njëri prej terxhumanëve shqiptarë më të rëndësishëm gjatë shekullit të 19-të. Në mënyrën sesi gazetari e trajton shqiptarin dhe anasjelltas vërehet kush e ka pushtetin. Njëkohësisht kjo marrëdhënie mund të interpretohet si metaforë për mungesën e mundësisë së veprimit politik shqiptar në raport me perëndimin.

– “[…] as lindje, as perëndim […]”

Terxhumani, protagonisti i parë i librit, pothuajse nuk flet asnjëherë gjatë romanit. Ai është një figurë pasive. Ai dëgjon, përkthen, dhe aty-këtu bën observime. Fikseri i shpreh kritikat e tij ndaj gazetarit në formë të observimeve të cilat mbeten vetëm në kokën e tij. Kritikat e artikuluara në këtë mënyrë janë banale, siç është për shembull pjesëmarrja aspak elegante e gazetarit të Financial Times në ovacionet e tifozëve të Kombëtares Shqiptare, e cila veç sa e ka fituar një ndeshje me Greqinë.

Gazetari anglez, protagonisti i dytë në “Terxhumanin” e Azizaj Nivik, është figurë aktive. Atij nuk i ndalet goja. Sa për përmbajtje, kontributi i perëndimorit i ngjanë një hyrjeje në shkencat postkoloniale. Mbi raportin e shqiptarëve me perëndimin ai thotë: “Në lidhje me shqipërinë, unë kam hasur vetëm përshkrime negative, me thënë të drejtën. Habitem pse shqiptarët shpesh i referohen disa opinioneve gjoja pozitive mbi ta dhe mbi shqipërinë nga ana e perëndimorëve.”

Gazetari është i vetëdijshëm për rrezikun që mund “të bie në [një] situatë etno-turistike”, kështu që ai i mban terxhumanit ligjërata mbi shkencat postkoloniale, por kjo ndodh duke e shfrytëzuar financiarisht dhe intelektualisht një subjekt të kolonializuar, pra terxhumanin. Si pasojë e kësaj, fjalët e gazetarit janë në kundërshtim të madh me veprimet e tij. Nëpunësi i Financial Times e përforcon këtë duke kërkuar storie ‘ekzotike’ mbi Shqipërinë, të cilat vetëm e riprodhojnë stereotipizimin e shqiptarit në perëndim, e që prapë shkon kundër parimeve postkoloniale. Pra, gazetari mbetet një agjent (neo)kolonial i cili bie në kurthin të cilin vet e ka identifikuar.

Në një aspekt më abstrakt, me figurën e gazetarit të Financial Times, Idlir Azizaj Nivik e bën të kapshëm një fenomen patologjik të hegjemonisë botërore: Perëndimori liberalo-majtist, mishërim i ‘progresit’ euro-atlantik, i cili nuk është në gjendje t’i shohë vazhdimësitë e tij me paraardhësit kolonialist. Për ta thënë më haptas, kritikat e tij kundër padrejtësive botërore janë të pakuptimta, përderisa veprimet e tij nuk ndryshojnë thelbësisht prej paraardhësve të tij.

– “[…] edhe orientale në shpirt, por edhe perëndimore në epsh […]”

Protagonisti i tretë është profesori “i vetëshpallur si i korruptuar” i cili largohet nga posti i tij në universitetin e Tiranës për shkak të thashethemeve të cilat e paraqesin si islamist. Profesori, ndonjëherë i quajtur edhe “haxhi” në roman, mbetet një karakter i paharruar pas leximit të “Terxhumanit”. Kjo figurë e përfaqëson ligjërimin alternativ i cili është i censuruar në hapësirat shqiptare. Profesori e zhvesh ligjërimin dominues prej kornizës perëndimore, domethënë prej arrogancës perëndimore ndaj shqiptarëve, dhe jep një analizë origjinale mbi çështjet kulturore dhe politike në Shqipëri. Në një mënyrë profesori e ilustron teorinë postkoloniale të Anglezit me shembullin e Shqipërisë.

Kur gazetari, me ndihmën e domosdoshme të terxhumanit e interviston profesorin, profesori i drejtohet më shumë terxhumanit sesa gazetarit. Kjo ndodh për shkak se gazetari tregohet indiferent ndaj profesorit. Arsyeja është e thjeshtë: Çka thotë profesori nuk mund të përdoret për artikuj ‘ekzotikë’ mbi Shqipërinë. Njëkohësisht, për gjithë ata që janë të interesuar të kuptojnë Shqipërinë e sotme në mënyrë më thelbësore, fjalët e profesorit janë pjesa më fitimprurëse e “Terxhumanit”. Këtu një renditje e shkurtër (jo komplete) e çështjeve të trajtuara:

Profesori ose haxhiu flet për “komunizmi[n] tonë kot e katoliko-ateist” dhe “njeriu[n] të ri shqiptar televiziv post komunist e kripto kapitalist”. Pra emërtimet i tij janë më të kapshme sesa termat që përdoren zakonisht për t’i cilësuar periudhat e fundit politike shqiptare. Një term i cili përdoret shpesh në hapësirat akademike është “transformimi politik e ekonomik i Shqipërisë”.

“[…] edhe europiane në deklarime, edhe myslimane në maxhorancë […]”

Edhe në përmbajtje, profesori është më i kapshëm sesa një shpjegim i thatë i ndonjë studiuesi mesatar. Ja një shembull: Luftën e klasave në komunizëm e karakterizon si “një shpikje konstante, kot, pasi vetë klasat nuk ekzistonin […] në shqipëri, ashtu si nuk ekzistojnë mirëfilli as sot e kësaj dite, ku shqipëria është i gjithë një vend i deklasuar”.

Shqipërinë e sotme e përshkruan si një shoqëri “jo të hapur, por këmbëhapur” kur bëhet fjalë për rolin kyç që e luajnë organizatat jo-qeveritare (OJQ), domethënë fondet dhe tenderat të cilët janë pothuajse baza e secilës ndërmarrje politike, ekonomike apo artistike në hapësirat shqiptare. Në këtë kategori hyjnë edhe politikanët dhe intelektualët shqiptarë, krijues të ligjërimit me kornizë eurocentrike, të cilët profesori i quan pasardhës “të komunizmit mikroborgjez shqiptar” për të cilët “buka e kalamajve” është dhe sot çështja kryesore. Për këtë arsye, të gjithë këta e kanë depolitizuar punën e tyre politike duke pranuar gjithçka që kërkon hegjemonia botërore.

Përkthimit të ‘gabueshëm’ të Fan Nolit të thënies së William Shakespear-it – “to be, or not to be” në “të rrosh a të mos rrosh” – ia jep një interpretim alternativ në kuptimin që të qenit jo-perëndimor është mbijetesë, jo jetë. Nëse duam ta konkretizojmë këtë hipotezë me shembullin e sëmundjes së kancerit, mund të themi se në rast të diagnozës së kësaj sëmundjeje, perëndimori ka gjasa të shpëtojë për shkak të sistemit shëndetësor funksional, ndërsa mungesa e një sistemi të tillë bën që diagnoza e kancerit është njëkohësisht dënim me vdekje për jo-perëndimorin.

“[…] edhe kapitalist në individ, edhe ish komuniste si shoqëri […]”

Mitin e demokracisë si sistem qeveritar universal e dekonstrukton duke shpjeguar që “në thelb ne jemi ende popullsi që mban akoma referencë çështjen e nderit […] por demokracitë e bazuara në të krishterën kanë për bazë besimin, dhe shërbimin.” Këtë fundament teorik e përdorë profesori ose “haxhiu” për të shpjeguar ‘korrupsionin’ ndryshe:
“Veçoria e korrupsionit shqiptar, ose korrupsioni që shoqëron veçorinë shqiptare, është se është ende tepër farefisnor […] dhe që e lë fare anash anën institucionale në fund të përnderimit, pra nuk ka përnderim të vetë institucionit, si në kulturën mirëfilli të krishterë.”
Nëse pranohet shpjegimi i profesorit, kritikat në lidhje me ‘korrupsionin’ dhe ‘krimin e organizuar’, të përsëritura pa fund nga ana e Bashkimit Europian, ambasadave perëndimore dhe OJQ-ve, duken të dyshimta sepse nuk janë kritika konstruktive. Ato funksionojnë si mjete dominimi për të arsyetuar status quo-n, në këtë rast mjerimin shoqëror në hapësirat shqiptare, i cili është vazhdimësia më domethënëse e historisë moderne shqiptare. 
Origjinaliteti dhe inovacioni në përmbajtjen e romanit nuk janë të vetmet arsye pse mund të thuhet që “Terxhumani” i Azizit e ka hapur një zhanër të ri në letërsinë shqiptare. Një argument tjetër gjendet në nivelin gjuhësor: Në “Terxhumanin” Idlir Azizi tregohet edhe inovator në gjuhën shqipe duke i thyer disa rregulla elementare. Të gjithë emrat shkruhen për shembull me shkronja të vogla dhe fjalët që përdoren shpesh në të folurën shqipe i shkruan siç përdoren në të folme.

“vende të tilla me frymë orientale, si është edhe shqipëria”

Me këto thyerje të rregullave gramatikore, Azizi i arrin dy gjëra të cilat përputhen me parimet postkoloniale. Së pari tregon se gjuha nuk është materie e izoluar por ndryshon me kalimin e kohës, sidomos në shtresën popullore. Dhe me kalimin e kohës gjuha duhet të integrojë elemente të reja të cilat kanë arritur ta ndikojnë gjuhën në mënyrë afatgjatë. Së dyti shkrimtari distancohet prej elitës intelektuale shqiptare, marionetë e hegjemonisë perëndimore, e cila deri tash nuk e ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim dhe e sheh gjuhën popullore si element të ‘prapambetjes’ shqiptare. Me “Terxhumanin” Idlir Azizi i ka thyer gjithashtu konvencionet e veprimtarisë artistike të cilat zakonisht e riprodhojnë ligjërimin dominues – në rastin shqiptar, një diskurs vetëposhtërues. Për të krijuar një ligjërim alternativ dhe për ta përdorur atë në mënyrë artistike duhet punuar të paktën dyfish më shumë se një artist i cili thjesht e përtyp ligjërimin dominues.
Deri tash ligjërimi postkolonial i realitetit shqiptar u prodhuar vetëm me vepra shkencore të cilat elitat dominuese shqiptare i injorojnë. Ja tri shembuj: Behar Sadriu i cili ka botuar një artikull shkencor në vitin 2016 (https://www.tandfonline.com/doi/abs/10.1080/00905992.2017.1292498) në të cilin argumenton që lufta në Siri përdoret prej elitave politike shqiptare për të promovuar idenë që shqiptarët janë myslimanë europianë ‘të mirë’. Piro Rexhepi, i cili në punimet e tij i vazhdimisht i ka analizuar shoqëritë më të margjinalizuara të Ballkanit, boshnjakët, shqiptarët dhe romët prej një këndvështrimi postkolonial. Një shembull i tillë është filmi dokumentar i tij dhe i Ajkuna Tafës i vitit 2017 “Skopje, Sarajevo and Salonika – A Post-Ottoman Trilogy” (https://queerasia.com/qaff18-skopje-sarajevo-and-salonika-a-post-ottoman-trilogy/). Enis Sulstarova i cili e ka botuar në vitin 2006 me librin Arratisja nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja (https://books.google.co.in/books? id=WHloQy9ELXMC&printsec=copyright#v=onepage&q&f=false)” një vepër monumentale të së menduarit postkolonial shqip.
Merita më e madhe e “Terxhumanit” është që e sjell këtë mënyrë të të menduarit në sferën artistike. Përveç kësaj, Idlir Azizi ka krijuar me shprehjen si “vende të tilla me frymë orientale, si është edhe shqipëria” një fjalor të ri, i cili mund ta përhapë postkolonializmin shqip më tutje.

(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.