
BILL VIOLA (1951 – 2024)
Bill Viola (*1951 në New York) – lindi dhe u rrit në Queens. Kaloi një fëmijëri të mbyllur duke qenë person i turpshëm dhe pa shumë marrëdhënie. Talentin për vizatim dhe skica e shfaqi qysh në fëmijëri të hershme. Në vitin 1969 Viola kreu shkollën e mesme dhe u fut të studionte artin në Universitetin e Syracuse-s (New York). Periudha e tij e hershme si artist ishte tepër instrumentale në establishmentin e artit video. Viola konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të kohës sonë, ai është po aq një nga ponierët e videoartit në Amerikë. Bota e veprave të tij si artist vizual është e mbushur me imazhe prekëse e të veçanta. Ajo hedh dritë mbi temat themelore njerëzore dhe përvojat si lindja, vdekja, dashuria, egërsia, ekstaza, vuajtja dhe frika; ato pasqyrojnë vërtet pikturën e Rilindjes Evropiane në saje të intensitetit të tyre. Bashkë me bashkëshorten e vet, artisten Kira Perov, të dy kanë pasion të përbashkët për elementet. Ndër veprat më të njohura të Violas janë: “The Reflecting Pool”, “The Sleep of Reason”, “The Veiling”, “Surrender”, “Going Forth by Day”, “Tristan`s Ascension”, “Fire Woman”, “The Dreamers”, etj.

Idlir Azizaj Nivik (*1970 në Vlorë)
është një shkrimtar dhe përkthyes, i cili jeton prej vitit 2004 në Francë. Ai njihet sidomos për përkthimin e Uliksit të Xhejms Xhoisit në shqip, për të cilin u vlerësua me “Pendën e Argjendtë” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë në vitin 2004. Azizaj kreu studimet e para në Universitetin e Tiranës për ekonomi. Më vonë ndoqi studimet për letërsi angleze e amerikane në Concordia College të Minesotës në SHBA. Në vitin 2006 mori gradën “master” në filozofi në Universitetin e 8-të të Parisit, me punimin Uliksi, gramafoni që këndon heshtjen. Vëllimi me poezi “Syri në mur” (1997) është ribotuar më 2010 në një vëllim dygjuhësh në ShBA-të nga CC Marimbo Press. Më 2011 ka marrë çmimin “Penda e Artë” nga fondacioni Mehr Licht! për esenë më të mirë të vitit. Azizaj është njohur në shtypin letrar për romanet e tij me temë nga shoqëria e sotme dhe për stilin e veçantë në prozë. Poezitë dhe dramat e tij janë vënë disa herë në skenë në Francë, Kosovë e Austri.
Proza e Azizaj përmbledhin titujt e mëposhtëm: “Katër, ose një film i fundit mbi komunizmin tonë”, “Ti doje të shkruaje një fugë”, “Terxhuman” (i cili ka gjetur jehonë në vendet e Ballkanit >>Adem Ferizaj: Temat postkoloniale tek “Terxhumani” / La philosophie postcoloniale dans le roman Terxhuman d’Idlir Azizaj Nivik), “Gazetarja e kulturës vetëvritet, shpirti i saj në drejtim të paditur”, “Don Kanuni, ose ngadalë gjakësi dremit në pritë”, ” Shekspiriotët”, “Armiku i popullit pa emër”, “Deltaplang”.
Gjithashtu ka përkthyer më parë dhe “Dublinasit” të J. Joyce-t, “Dashuria e parë” të Samuel Beckett-it, poemën madhore të Allen Ginsberg-ut, “Kaddish”, romanin “Të Nëndheshmit” të Jack Kerouac-it. Vitet e fundit Azizaj ka përkthyer vëllimin “Imazhi dhe proza të tjera”, ku përmblidhet gjithë proza e shkurtër e Samuel Beckett-it. Në vitin 2015 doli dhe përkthimi “Kopisti Bartëlbi” i Herman Melville-it.
>>Intervistë (Gazeta TemA): Dhjetë pyetje për Idlir Azizaj Nivik (3.3.2024)

Heiner Müller (1929 – 1995)
Krijimtaria e tij i takon avangardës më radikale në letërsi e sidomos në teatër përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 në dy Gjermanitë e më gjerë. Ndikimi i tij si dramaturg, poet, prozator, eseist e regjisor ka në qendër koncepte e ngjarje historike që përvijohen nga antika greke përmes botës letrare e fiktive deri në diskurset më fondamentale politike. Karakteri i teksteve të tij hapi një frymë të re dramaturgjike e teatrore, që më vonë nga teatrologu Andrzej Wirth pastaj edhe nga Hans-Thies Lehmann do të emërtohej si teatër postdramatik. Këso shtrirje të materialeve i hasim në veprat si Mauser (1970), Hamlet–Makina (1977), Misioni (1979), Kuartet (1981), Breg det i plaçkitur / Medeamaterial / Peizazh me argonautët (1982) e shumë tjera. Müller krijoi e veproi ndërmjet ideologjive dhe utopive të shumta. Në autobiografinë e tij „Luftë pa betejë – jetë në dy diktatura“ (1992), ai rrëfen për përvojat krijuese brenda dhe jashtë vendit, për punën në Ansamblin e Berlinit, marrëdhënien ndërmjet gjeneratave, për dramat njerëzore dhe përplasjet e mëdha drejt shembjes së autoriteteve. Müller shkroi rreth dyzet drama, afër njëzet përmbledhje me poezi dhe disa tekste në prozë. Krijimtaria e tij është e pasur në fushën e regjisurës, radio-dramave si dhe në sfera tjera mediale. Me autorin gjerman Alexander Kluge kanë regjistruar qindra orë video dhe audio materiale në formë intervistash dhe dialogëve të veçanta diskursive. Müller është inskenuar dhe përkthyer në shumë gjuhë në të gjitha kontinentet. Në Kosovë dhe Shqipëri deri më tani janë inskenuar „Hamlet-Makina“, „Kuartet“ dhe „Medeamaterial“.
Nga viti 1985 është edhe bartës i çmimit letrar „Büchner-Preis“.

Georges Bernanos (1888 – 1948)
lindi në Paris më 20 shkurt 1888. Më 1897 kreu klasën e parë të një gjimnazi jezuit, nxënës ku mësoi në të njëjtën periudhë edhe Charles de Gaulle-i. Lexon autorë si Walter Scott, Barbey d’Aurevilly, Ernest Hello, Pascal, Victor Hugo, Michelet, si dhe Balzac. Në 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë, Bernanos-i rimobilizohet, në muajin gusht. Në janar 1922 boton novelën Madame Dargent. Në mars të 1926 botohet romani Nën diellin e Satanait dhe korr sukses të menjëhershëm. Në 1927 boton romanin Mashtrimi (L’Imposture). Më 1928 fillon të botojë romanin Hareja (la Joie), në La Revue Universelle. Boton mandej La grande Peur des bien-pensants (Droja e mendimtarëve zyrtarë). Në 1934, familja Bernanos vendoset në Ishujt Baleares. Fillon botimi i romanit Një krim, në një revistë të përjavshme. Në mars 1936 botohet Ditari i një prifi fshati si libër i plotë. Publiku e mirëpret me lëvdata, shpesh cilësohet kryevepër. Libri vlerësohet me Çmimin e Madh të Akademisë Franceze. Në korrik, gjatë Luftës Civile në Spanjë, monarkisti dhe katoliku Bernanos e mbështet fillimisht regjimin e Frankos, por pastaj i kundërvihet ashpër. Në janar 1937 Bernanos-i shkruan librin Pesë varreza poshtë hënës, mbi luftën e Spanjës. Libri përshëndet nga një sërë personalitetesh, si Aragon, Camus, dhe filozofja Simone Weil. Më 1938 vendoset në ekzil në Brazil. Shkruan një sërë artikujsh që botohen në gazetat braziliane. Në 1943 boton, në shtëpi botuese braziliane, por frëngjisht, romanin Monsieur Ouine. Në qershor 1945 gjenerali de Gaulle e fton Bernanos-in të kthehet në Francë. Takohet me de Gaulle-in, i cili i propozon detyrë ministri, por Bernanos-i nuk pranon. Shkruan dhe boton artikuj të shumtë politikë. Për herë të tretë në jetë, ai refuzon Kryqin e Legjionit të Nderit, si dhe anëtarësimin në Akademinë Franceze. Në korrik 1948 Georges Bernanos ndërron jetë. Ai mbetet shembull i shkrimtarit të thellë.

Jon Fosse (1959)
Jon Fosse (1959) lindi në Haugesund të Norvegjisë. Autor i shumë romaneve, dramave, librave për fëmijë.
Në vitin 2023 fitoi Çmimin Nobel në Letërsi.

Elsa Demo (1976)
Elsa Demo (1976) është e angazhuar prej vitit 2000 me raporte, analiza dhe ese mbi artet dhe kulturën në shtyp dhe televizion. Ka qenë lektore e gazetarisë dhe e arteve në universitetet e Tiranës dhe Elbasanit. Në bashkëpunim me Ardian Klosin ka hartuar dy antologji dokumentare dhe letrare, “Shqipëria kujton. 1944-1991” dhe “Shqipëria tregon 1991-2010”. Është autore e “Te Teatri” (2023) dhe “E gjelbër hiri në të zezë” (2024). Jeton në Tiranë.

SAMUEL BECKETT (1906 – 1989)
Beckett konsiderohet ndër shkrimtarët dhe dramaturgët më të rëndësishëm të shekullit XX. Autori irlandez, nga viti 1937 jeton në Francë dhe bëhet pjesë e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryesisht shkruan në anglisht, por në periudhën krijuese të vonshme, përdor edhe frëngjishten, duke përkthyer shpesh veprat e veta nga një gjuhë në tjetrën. Nga viti 1969 është bartës i Çmimit Nobel për Letërsi. Veprat si: “Fundi i lojës”, trilogjia “Molloy”, “Malone vdes” dhe “E paemërtueshmja” – trajtojnë me humor të zi dhe thellësi filozofike pritjen dhe kufijtë e gjuhës e të ekzistencës njerëzore.

DANIIL HARMS (1905 – 1942)
Më 30 dhjetor 1905 lind Daniil Ivanoviç Juvacev në
Shën Pjetërburg. I cilësuar shpesh si mjeshtri i paradoksit,
është prej autorët që karakterizohet me tekste minidramatike që nuk ndjekin logjikën e brendshme, linjën dramatike, zhvillim të ngjarjeve dhe shquhen prej situatave jo-logjike. Më 1927 bashkë me Aleksandër Vedenskij dhe miq të tjerë themelojnë në Leningradin e atëhershëm Bashkësinë e Artit Real “OBERIU”, përmes një Manifesti të përbashkët që vënë në pikëpyetje vetë thelbin e teatrit.
Veprat si “Komedia e qytetit Pjetërburg”, “Elizaveta Bam” dhe shumë minidrama të tjera janë përplot kundërthënie, përpiqen të zhbirojnë forma shprehëse përmes eksperimentimit, që kryesisht qojnë në një pikë tërësisht apo pjesërisht “përhumbëse” teatrale.

